Vengu inspekton kompleksin stërvitor në Bizë/Pajet: Investim strategjik për gatishmëri më të lartë të FA

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi kompleksin stërvitor në Bizë/Pajet, një investim strategjik që synon modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të trajnimit të Forcave të Armatosura si dhe zhvillimin e stërvitjeve ndërkombëtare sipas standardeve bashkëkohore të NATO-s.

Gjatë inspektimit, ministri Vengu u njoh nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet funksionale të kompleksit, i cili përfaqëson një pol të ri modernizimi për përgatitjen operacionale të trupave dhe rritjen e ndërveprimit me partnerët ndërkombëtarë.

Kompleksi stërvitor në Bizë/Pajet ka kapacitet akomodimi deri në 1 200 persona dhe ofron kushte të plota fjetjeje, ushqimi, ambiente moderne dhe shërbime të tjera thelbësore, duke garantuar mbështetje logjistike dhe operacionale për zhvillimin e stërvitjeve të zgjatura dhe komplekse.

Ministri Vengu theksoi se ky investim është një element kyç për rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për forcimin e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët strategjikë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një faktor aktiv dhe të besueshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ky kompleks stërvitor do të jetë funksional për stërvitjen kryesore të FA që pritet të zhvillohet në muajin shtator për certifikimin e Grup Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë sipas standardeve të NATO-s si dhe për stërvitje dypalëshe e shumëkombëshe si ajo “Defender Europe 2027”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme