Vengu: Situata e zjarreve në jug e stabilizuar falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit ndërinstitucional

Aktualitet | 1 vit më parë

Pas një nate intensive dhe sfiduese për shkak të përhapjes së zjarreve në jug të vendit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe mbështetjen ajrore, arritën të vendosin nën kontroll flakët që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë Himarë dhe Delvinë.

Në një reagim në Facebook, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bënë të ditur se situata u menaxhua me sukses në disa zona të prekura si Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.

“Në Kalasë, zjarri, i nxitur nga era e fortë, kaloi kufirin administrativ të bashkisë Himarë dhe u përhap drejt një lagjeje të fshatit. Forcat operacionale reaguan menjëherë duke ndërmarrë masa evakuimi, ndërsa 75 efektivë dhe një helikopter i Forcës Ajrore ndërhynë në terren për të frenuar përparimin e flakëve. Falë këtij reagimi të koordinuar, banesat u mbrojtën dhe u shmang çdo rrezik për jetën e banorëve.”-shkruan ai

Gjithashtu, Vengu thekson se, në Sasaj dhe Piqeras, ku situata u përkeqësua gjatë natës, u krye evakuimi i përkohshëm i banorëve ndërsa forcat operacionale arritën të neutralizonin vatrat dhe të ndalonin përhapjen e mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.

“Në Lukovë dhe Shën Vasil, flakët kishin përfshirë zona kodrinore dhe pyjore, por ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse dhe operacionale bëri të mundur vendosjen e situatës nën kontroll pas një përpjekjeje të pandërprerë.”

Aktualisht, Forcat Ajrore dhe ekipet zjarrfikëse të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet pranë vatrave në lartësitë e Lukovës dhe Skërficës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Ministri Vengu shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, përfshirë Forcat e Armatosura, zjarrfikësit vendorë, pilotët e helikopterëve të Forcës Ajrore, ekipet ajrore të ardhura nga Italia, si dhe kryetarët e bashkive Delvinë, Himarë dhe Konispol për drejtimin e operacioneve në terren nën koordinimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ai falënderoi gjithashtu banorët e zonave të prekura për bashkëpunimin dhe qetësinë e treguar gjatë proceseve të evakuimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme