VIDEO/ Aksident tragjik në autostradën Tiranë-Durrës, përmbyset në rrugë autobusi i linjës së Beratit. 1 i vdekur dhe 12 të plagosur, mes tyre një i mitur
Një person ka humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur paraditen e kësaj të marte në autostradën Tiranë–Durrës.
Viktima është identifikuar si drejtuesi i autobusit të linjës Tiranë–Berat, R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat.
Sipas informacioneve paraprake, autobusi, i cili po udhëtonte nga Berati drejt Tiranës, dyshohet se ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore të autostradës, për të përfunduar më pas në kanalin anësor.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se barrierat metalike kanë depërtuar përmes autobusit, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe pasoja tragjike.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur edhe 12 pasagjerë, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. 7 prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, mes të cilëve edhe një i mitur, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas policisë i mituri mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, ekipet zjarrfikëse dhe autoambulancat, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e pasagjerëve nga autobusi dhe transportimin e të plagosurve drejt spitalit.
I pranishëm në vendngjarje ishte edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili ka koordinuar operacionin e ndihmës mjekësore.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa dyshimet e para janë se ngjarja është shkaktuar si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e autobusit.
Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma ka dhënë detaje mbi gjendjen e të plagosurve në autostradën Tiranë-Durrës, në aksidentin tragjik ku u përmbys autobusi i linjës Berat-Tiranë.
Sipas shefit të Urgjencës së Traumës, shoferi 36-vjeçar, Redion Hasimi, ka mbërritur në spital pa shenja jete, ndërsa kanë mbetur të plagosur disa persona, mes të civilëve edhe dy fëmijë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas mjekut, të pesë të lënduarit e tjerë janë futur në operim, mes tyre dy shtetas të huaj të cilët ende nuk janë identifikuar.
“Një i mitur i moshës rreth tetë apo nëntë vjeç ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Një tjetër i mitur, rreth moshës 14 vjeç, ndodhet në repartin e observimit ku po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga stafi mjekësor.
Pesë pacientë të grupmoshës së përafërt 30 deri në 50 vjeç po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale nga ekipet mjekësore roje të urgjencës.
Dy prej pacientëve që po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale janë shtetas të huaj, identiteti dhe shtetësia e të cilëve nuk janë konfirmuar ende; ata ndodhen faktikisht në gjendje të rëndë shëndetësore. Pesë pacientë të tjerë janë në gjendje të stabilizuar, po trajtohen në urgjencë dhe po mbahen nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, u shpreh Agustin Suma.
Ai shpjegoi se sipas vlerësimit aktual të ekipeve mjekësore, “këta pesë pacientë nuk paraqesin rrezik për jetën. Ekipi mjekësor dhe mbështetës i Spitalit Universitar të Traumës mbetet plotësisht i angazhuar dhe në gatishmëri për ofrimin e kujdesit të specializuar për të gjithë të lënduarit”
Si paraqitet gjendja e të miturve?
Njëri është në gjendje të stabilizuar, ndërsa tjetri po i nënshtrohet, besoj, një ndërhyrjeje kirurgjikale, por duhet ta konfirmoni.
Po për të huajt, rreth çfarë moshe janë dhe a dihet shtetësia e tyre?
Nuk dimë, nuk kemi informacion më shumë. Po presim edhe ndihmën e Policisë së Shtetit që të na ndihmojë për t’i identifikuar.
Të gjithë të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës apo është larguar ndonjëri prej tyre nëpër spitale private?
Nuk kam informacion për spitale private. Tek ne janë paraqitur 13 persona. Një ka mbërritur i vdekur, pra është paraqitur pa shenja jete, ndërsa 12 të tjerët janë këtu dhe po marrin të gjithë shërbim mjekësor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




