Përshkallëzohet protesta para Parlamentit, lëndohen disa efektivë të “Shqiponjave”. Policia përgjigjet me gaz lotsjellës, shoqërohen 18 persona
Protesta e thirrur për këtë të enjte përpara Parlamentit u shoqërua nga përplasje mes qytetarëve dhe Policisë.
Gjatë përplasjes me forcat e rendit, protestuesit kanë hedhur molotovë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të Forcave Shqiponja. Në përgjigje, policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.
Protestuesit kanë shkatërruar edhe një automjet të policisë duke e goditur me sende të forta dhe pjesë të gardhit metalik dhe duke i thyer xhamat. Policia ka vepruar menjëherë duke ndaluar autorët e sulmit.
Protesta nisi pak para zhvillimit të seancës plenare, ndërsa protestuesit hodhën vezë dhe miell në drejtim të automjeteve të deputetëve, si edhe ndaj efektivëve të policisë. Gjatë disa momenteve, ata tentuan të çanin kordonin e sigurisë të ngritur përpara godinës së Parlamentit, duke sjellë përshkallëzimin e tensioneve.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e incidenteve janë plagosur gjithsej nëntë efektivë policie. Ndërkohë, policia ka shoqëruar 18 persona të dyshuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




