Viti akademik i Kolegjit të Evropës, Rama: Zgjerimi e forcon BE-në dhe e mbron nga vetja, steriotipet e dobësojnë

Politikë | 12 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është një pikë horizonti midis asaj që Evropa është dhe asaj që ende duhet të bëhet. Gjatë fjalës së tij para studentëve të vitit të ri akademik 2025-2026 të Kolegjit të Evropës, Rama tha se këtu brezat e rinj mësojnë si mendon Evropa, si debaton dhe si transformon shoqëritë.

“Ende nuk kemi kampusin e ri dhe të bukur gati për ju, por ne jemi një pikë horizonti midis asaj që Evropa është dhe asaj se si ende duhet të bëhet. Ju jeni këtu për të mësuar se si mendon Evropa, si debaton dhe si transformon ajo. Ëndrra evropiane është ende prezente dhe e paprekur nga zhurma e përditshme e botës. Evropa nuk është një vend, por një vendim; një zgjedhje dhe bashkëpunim përkundrejt përplasjes, ligji përkundrejt forcës dhe dialogu përkundrejt britmave”, tha Rama.

Ai paralajmëroi se frika dhe stereotipet mund të dobësojnë procesin e zgjerimit dhe Evropën, ndërsa një Evropë e bashkuar e bënë atë më të fortë dhe të sigurt në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

“Pak ditë më parë, Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar përmendi publikisht 700 familje shqiptare që jetojnë në strehime me paratë e tatimpaguesve britanikë në pritje të azilit. Ajo përmendi 700 familje në një vend prej 67 milionë banorësh, një pëshpërim statistikor i fryrë në një sirenë politike. E përmend jo për ta dramatizuar apo për t’u ankuar, por sepse është pikërisht ky lloj reflektimi politik nga i cili Evropa duhet të mbrohet, nëse dëshiron të mbijetojë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Kur një ministër evropian zgjedh një bashkësi të vogël për të fituar pikë politike, frika flet më fort se faktet dhe stereotipet udhëtojnë më shpejt se e vërteta. Zgjerimi , që unë e shoh si ribashkim, dështon sa herë që stereotipet lulëzojnë dhe shuhet kur frika bërtet më fort se dija. Evropa dobësohet sa herë u beson narrativave të sajuara.

Nëse Shqipëria beson thellësisht te projekti evropian, është sepse ne e dimë nga çfarë të mbron Evropa. Ne ishim diktatura e fundit në Evropë dhe ndjemë të gjithë peshën mizore të izolimit. Por sot është një botë tjetër. Atëherë vota nuk ishte e ndërlidhur si tani dhe kur ne ishim të shkëputur nga gjithë organizmi evropian, ai nuk reagonte. Sot kjo është e pamundur. Ja pse, kur zgjerimi mbetet në vend, nuk shohim vetëm një vonesë politike, por një paralajmërim.

Kur një ministre vë në shënjestër një komunitet të vogël, nuk shohim një akt të vogël demagogjie, por një simptomë. Sepse një Evropë që normalizon padrejtësitë e vogla çdo ditë, një ditë do të jetë e paaftë të përballet me padrejtësitë e mëdha”, tha Rama.

Rama nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë me reformën dhe forcimin e institucioneve, duke respektuar procedurat evropiane dhe duke kontribuar paqësisht në projektin e Bashkimit Evropian. Rama identifikoi pesë të vërteta që sipas tij duhet të udhëheqin brezin e ardhshëm të evropianëve, ndërsa tha se vendet e reja nuk duan veto apo komisioner, por të kontribuojnë në një Evropë që garanton paqe e siguri.

“Pesë të vërtetat sipas meje që duhet të udhëheqin brezin e ardhshëm të evropianëve: Ribashkimi shëron historinë dhe këtë e kemi parë. Ribashkimi zgjeron paqen. Ribashkimi përmbush premtimin e Evropës. Ribashkimi sjell energji e mundësi të reja. Ribashkimi mbron Evropën nga vetja. Një Evropë e përçarë është më e lehtë për t’u manipuluar. një Evropë e bashkuar është e pamundur të mposhtet. Është çështje zgjedhjeje.

Ne vijojmë me punën tonë, me rezultatet në reforma, me forcimin e institucioneve dhe me durim të provuar. Nuk kërkojmë privilegje, por vetëm nderin për t’i shërbyer Evropës në mënyrë që Evropa t’i shërbejë paqes. Nuk duhet të këmbëngulësh që të sapoardhurit të kenë komisioner, ajo që ka vlerë është të jesh pjesë e kësaj familjeje, të tjerat janë procedura. Asnjë veto, asnjë votë kundër shumicës, asnjë komisioner, asnjë kërkesë  vetëm përgjegjësi dhe kontribut në Evropë. Unë besoj se periudha pas negociatave teknike do të jetë më e lehtë”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme