Lumi Vjosa në UNESCO, një arritje që i shërben të gjithë Parkut Kombëtar
Përfshirja e lumit Vjosa në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s është një moment historik për Shqipërinë dhe për mbrojtjen e natyrës. Ky status është një vulë e rëndësishme ndërkombëtare që forcon pozicionin e Shqipërisë si një vend që ruan vlerat natyrore unike dhe të paprekura.
“Janë 26 rezervate që u shpallën si rezervate biosfere, një nga këto është edhe lumi Vjosa. Benefitet e tij janë të jashtëzakonshme dhe lidhen me ruajtjen e ekosistemit dhe biodiversitetit që ofron e gjithë lugina e parkut kombëtar, e cila përfshin lumin Vjosë dhe degët e tij Drino, Bënçë dhe Shushicë. Siç e dimë, të treja këto degë janë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës,” tha Edjon Maliqi, monitorues në Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosë.
Aktualisht, po zhvillohen aksione pastrimi përgjatë luginës së Vjosës, me përfshirjen e komuniteteve lokale, institucioneve dhe vullnetarëve. Këto aksione synojnë jo vetëm pastrimin e territorit, por edhe përcjelljen e mesazhit të kujdesit dhe përgjegjësisë ndaj natyrës.
“Kanë nisur që nga sesionet informuese dhe edukuese të organizuara nga Zyra e Administrimit të Parkut të Lumit Vjosë. Kanë qenë edhe aksionet e pastrimit që ne kemi zhvilluar të paktën dy herë në muaj. Sigurisht, kemi bërë evidentimin e të gjitha pikave që mund të kenë ndonjë problematikë dhe çdo gjë tjetër përkatëse. Gjithë kjo punë që po bëhet është falë edhe një plani të menaxhimit, mbi të cilin ne bazohemi dhe veprojmë,” u shpreh Maliqi.
Përfshirja e lumit Vjosa në UNESCO nuk është vetëm një sukses për Shqipërinë, por edhe një angazhim i vazhdueshëm për mbrojtjen e natyrës dhe trashëgimisë sonë të përbashkët. Tashmë, sfida është që kjo pasuri e rrallë natyrore të ruhet, të menaxhohet dhe të shërbejë si shembull për brezat që vijnë.
Gazetare: L. Koçiu
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




