Vlora katër ditë pa ujë, qytetarët mësyjnë bashkinë, ujësjellësi premton furnizim të pjesshëm që sot

Aktualitet | 10 muaj më parë

Qytetarët e Vlorës kanë mësyrë dyert e bashkisë për të kërkuar zgjidhje urgjente të furnizimit me ujë të pijshëm. Me bidonë në duar ata kanë goditur dyert e bashkisë në shenjë proteste për mungesën e ujit prej ditësh. Të indinjuar me qëndrimin e bashkisë, ata kërkojnë ndërhyrjen e prefekturës.

“I bëj thirrje Prefektes së Qarkut, e cila ka për detyrë të menaxhojë punën e të gjitha institucioneve në Vlorë. Të mbledhë me urgjencë shtabin e emergjencave, pasi jemi përballë një situate që do të ketë pasoja të rënda në jetën e njerëzve dhe shëndetin e qytetarëve,” – u shpreh një prej banorëve.

Gjatë protestës nuk kanë munguar tensionet, ku qytetarët kanë qëlluar me vezë drejt bashkisë, ndërsa kanë tentuar të shtyjnë efektivët e policisë të vendosur rreth godinës.

Rreth 30 minuta më pas, protesta u zhvendos në rrugën kryesore “Ali Demi”, duke u zgjatur deri tek kryqëzimi i Sahatit. Për mbi dy orë protestuesit kërkuan takim me përfaqësues vendor.

Drejtori i përgjithshëm i Ujësjellësit dhe drejtori i Ujësjellësit të Vlorës sqaruan qytetarët. Sipas tyre, furnizimi me ujë do të garantohej në mesnatën e sotme për një pjesë të qytetit, ndërsa nesër do të furnizohej pjesa tjetër e Vlorës.

Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Flauers Shoshi, u shpreh “Kemi tentuar tre herë për të bërë atë difekt dhe nuk ia kemi arritur për shkak të presionit që ka kolona e tubit. Pajisjet origjinale janë duke ardhur dhe sot në mesnatë qytetarëve do t’u rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm.”

Tre pajisjet hidraulike të nevojshme për të riparuar defektin mësohet të kenë mbërritur në Shqipëri pasditen e kësaj të hëne. Ato u porositën në Turqi. Këtë fakt e bëri publik edhe kryeministri Rama në një reagim në rrjetin social “X”, ku u kërkoi ndjesë vlonjatëve. Rama tha ndër të tjera se difekti ka ardhur si pasojë e pajisjeve jashtë standardit të instaluara në vitin 2009–2010.

Gazetare: A. Hysaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme