Vokshi kërkesë Peleshit: Rama të raportojë në Kuvend për procesin e integrimit evropian

Politikë | 5 muaj më parë

Albana Vokshi, deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherësh nënkryetare e Komisionit për Punët e Jashtme, i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit një seancë raportimi nga kryeministri Edi Rama lidhur me konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE të zhvilluar më 26 maj 2026.

Në shkresën e saj, Vokshi kërkon që kreu i qeverisë të informojë deputetët mbi konkluzionet e negociatave për grupkapitullin “Themeloret” (Fundamentals Cluster), si dhe kushtet konkrete që Shqipëria duhet të plotësojë në fazën e ardhshme të procesit të integrimit europian.

Kërkesa bazohet në detyrimet ligjore të parashikuara nga Ligji nr.15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr. 19/2023. Konkretisht, neni 18/3 i këtij ligji parashikon se: “Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për negociatat informojnë në seancë plenare konkluzionet mbi negocimin e një kapitulli ose grup kapitujsh pas zhvillimit të konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian.”

Në fund të kërkesës, Vokshi thekson: “Lidhur me sa më lart, kërkoj përfshirjen në kalendarin e punimeve, raportimin mbi konkluzionet e konferencës së 8-të ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për grupkapitullin Themeloret.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme