Von der Leyen kalon pa vështirësi votimin e dyfishtë të mosbesimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar lehtësisht një votimi të dyfishtë mosbesimi në Parlamentin Evropian, duke iu kundërvënë sulmeve si nga e djathta ekstreme ashtu edhe nga e majta ekstreme që mund ta kishin rrëzuar Komisionin e saj.
Të enjten, mocionet kundër Komisionit të saj nuk arritën shumicën e kërkuar prej dy të tretash, ose minimumin prej 361 votash pro.
Mocioni i ekstremit të djathtë pa 378 eurodeputetë të votonin kundër tij, 179 në mbështetje dhe 37 abstenime, ndërsa mocioni i ekstremit të majtë regjistroi 383 vota kundër, 133 në favor dhe 78 abstenime. Në total, u hodhën 594 vota.
Pas votimit, von der Leyen falënderoi për mbështetjen e fortë që mori
“E vlerësoj thellësisht mbështetjen e fortë që mora sot”, tha von der Leyen pas votimit.
Mocionet u paraqitën muajin e kaluar nga udhëheqësi i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella i Patriotëve për Evropën, dhe Manon Aubry e të Majtës.
Bardella e paraqiti mocionin mbi marrëveshjet tregtare të von der Leyen me SHBA-në dhe Mercosur, ndërsa Aubry mbi atë që ajo e quajti mosveprim të Komisionit ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza.
Kjo shënoi herën e parë që dy mocione mosbesimi u nisën njëkohësisht në Parlament.
Deputetët e qendrës dhe të moderuar u rreshtuan pas saj, duke paralajmëruar se rrëzimi i Komisionit do të sillte paqëndrueshmëri në BE.
Kjo ishte përpjekja e dytë për ta rrëzuar von der Leyen këtë vit, pas një mocioni të ngjashëm në korrik që gjithashtu dështoi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




