Vonesat në pagesat nga RTSH, Drejtoresha Vasili: Krizë reale likuiditeti. Janë prekur projektet e jashtme, jo fondi i pagave

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, njoftoi mbi nisjen e një auditimi të brendshëm, duke u ndalur te përballja me problemet kur ajo mori detyrën si drejtuese.
Ajo sqaroi se publiku është keqinformuar për sa i përket situatës reale të pagesave nga institucioni.
“Dua t’ju bëj me dije se nuk ka vonesa në likuidimin e pagave të gazetarëve apo punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, siç është dezinformuar deri tani apo keqkuptuar në publik. Përkundrazi, pagat e punonjësve të RTSH-së nuk janë vonuar asnjë ditë dhe fondi përkatës i pagave është gjithmonë në dispozicion dhe i garantuar gjatë gjithë vitit. Në rastin konkret kemi të bëjmë me disa vonesa në pagesa për disa nga projektet artistike dhe filmike të miratuara dhe të kontraktuar gjatë periudhës dhjetor 2024–mars 2025, të cilat janë projekte të jashtme. Pra, nuk bëhet fjalë për fondin e pagave të Radio Televizionit,” deklaroi znj. Vasili në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Për të shpjeguar se çfarë i ka pamundësuar pagesat, Drejtoresha e Përgjithshme dha shifra konkrete se si projektet e jashtme radiotelevizive e kanë rritur peshën në RTSH ndër vite, ndërkohë që të ardhurat dhe burimi i tyre kanë mbetur njësoj.
“Pse ka ardhur kjo vonesë? Ka ardhur si pasojë e një krize reale të likuiditetit. Në momentin që menaxhimi i ri ka hyrë në Radio Televizionin Shqiptar ka evidentuar një krizë reale likuiditeti, mosrealizim të ardhurash, borxhe të trashëguara, keqadministrim, keqmenaxhim të fondeve të Radio Televizionit, evidentuar kjo edhe nga auditi i brendshëm.
Po ju jap disa shifra. Në vitin 2025 janë planifikuar 161 milionë lekë dhe janë miratuar e kontraktuar 74 projekte artistike dhe filmike. Shuma e realizuar është 115 milionë lekë, të cilat do të transmetoheshin pothuajse brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2025. Pra, i gjithë fondi, praktikisht, është shpenzuar në gjashtëmujorin e parë, duke vënë në vështirësinë maksimale Njësinë e Programacionit në Radio Televizionin Shqiptar, për të realizuar programet e reja të sezonit të ri, duke filluar nga shtatori. Po ju jap vetëm një krahasim numrash. Në vitin 2022 për këto lloje projektesh janë shpenzuar 22 milionë lekë; në vitin 2023, 70 milionë lekë; në 2024-ën, 147 milionë lekë; dhe në 2025-ën, 161 milionë lekë. Pra, mund t’i bëni llogaritë se sa është shumëfishuar shifra e projekteve të jashtme në këto tri vitet e fundit,” tha znj. Vasili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




