Voskopojë/Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet vendore vënë nën kontroll zjarrin, shuhen të gjitha vatrat e zjarrit

Një vatër zjarri është regjistruar në fshatin Voskopojë, në vendin e quajtur “Antenat”. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur dy mjete të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), një automjet zjarrfikës dhe një mjet tip “pick-up” me efektivët për ndërhyrje.
Në mbështetje të operacionit janë angazhuar gjithashtu forca të Njësisë Administrative Voskopojë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor.
Sipas informacionit paraprak, terreni i vështirë nuk lejon afrimin e automjetit zjarrfikës pranë vatrës së zjarrit. Për këtë arsye, një pjesë e efektivëve kanë nisur ndërhyrjen në këmbë, ndërsa pjesa tjetër është në lëvizje drejt zonës së prekur.
Pas vlerësimit të situatës nga drejtuesi i MZSH-së, do të koordinohen veprimet e mëtejshme për neutralizimin e plotë të zjarrit dhe vënien e tij nën kontroll.
Terreni i prekur është kryesisht me shkurre dhe pisha të rralla. Efektivët janë mobilizuar në dy grupe pune, duke ndërhyrë njëkohësisht në të dyja vatrat ndërsa po krijohet një perimetër izolues për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Aktualisht konstatohet vetëm prani tymi brenda sipërfaqes së përshkuar/djegur, pa paraqitur rrezik për riaktivizim në këtë moment.
Forcat operacionale kanë nisur tërheqjen nga terreni, ndërsa disa punonjës të Shërbimit Pyjor do të vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm si pasojë e erës.
Sipërfaqja e përshkuar/djegur, kryesisht me shkurre dhe pisha të rralla, vlerësohet rreth 2 ha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




