Vrasja e 56-vjeçarit – Prokuroria zbardh ngjarjen, si u përpoqën vajza dhe bashkëshortja të fshehin krimin
Prokuroria e Fierit ka zbardhur detaje tronditëse lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 23 korrik 2025 në fshatin Frashër, ku 56-vjeçari Anesti Rama dyshohet se është vrarë nga vajza e tij, Emalinda Rama, në bashkëpunim me partnerin e saj, Çlirim Dogani.
Sipas organit të akuzës, 23.korrik rreth orës 21:16, në Sallën Operative të Policisë Fier mbërriti një telefonatë ku kërkohej urgjentisht ndihma mjekësore, me pretendimin se 56-vjeçari ishte rrëzuar në tualetin e banesës së tij. Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier shkoi menjëherë në adresë, ku gjeti viktimën Anesti Rama të shtrirë në sallon, të veshur me kostum dhe këmishë. Personeli mjekësor konstatoi se 56-vjeçari kishte ndërruar jetë dhe njoftoi autoritetet përkatëse.
Në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor, i cili gjatë këqyrjes së trupit konstatoi çarje në pjesën ballore të kokës, dëmtime mbi vetullën e djathtë dhe shenja të tjera dhune që nuk përputheshin me një rrëzim aksidental.
Vajza e viktimës, Emalinda Rama, dhe bashkëshortja e tij, Valbona Rama, deklaruan se e kishin gjetur të ndjerin të rrëzuar dhe të gjakosur në tualet dhe më pas e kishin larë, veshur dhe zhvendosur në sallon për përgatitjen e riteve mortore, duke pastruar gjithashtu vendin e ngjarjes.
Hetimet e mëtejshme dhe përdorimi i metodave proaktive çuan në zbulimin e vrasjes së qëllimshme e kryer në bashkëpunim. Prokuroria urdhëroi arrestimin në flagrancë të Emalinda Ramës dhe ndalimin me iniciativë të Çlirim Doganit, të dy të dyshuar për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim”, si dhe arrestimin e Valbona Ramës për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre të dyshuarit.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




