Zbardhet vrasja e biznesmenit italian, shpallet në kërkim autori i dyshuar 48-vjeçar
Një 48-vjeçar, banues në fshatin Mesaplik të Vlorës, dyshohet të jetë autori i vrasjes së biznesmenit italian 44-vjeçar, Edoardo Sarchi, ngjarje e ndodhur në Tepelenë 3 ditë më parë. 48-vjeçari me inicialet K.S., është shpallur në kërkim, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas policisë, dyshohet se 48-vjeçari, fillimisht është konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta, me biznesmenin italian dhe me personat e tjerë që shoqëronin atë. Më pas ai ka qëlluar me armë në drejtim të tyre, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit.
Gjithashtu në këtë zonë, u gjet e hedhur në shkurre, një çantë, në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore. Ndërkohë, në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij u gjetën rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




