Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja- Reagon Prokurori i Përgjithshëm: Ka cenuar  funksionimin e shtetit ligjor

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokurori i Përgjithshëm ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur sot rreth orës 15:00 në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra dhe dy qytetarë të tjerë u plagosën.

Në një deklaratë zyrtare, Prokurori i Përgjithshëm e cilësoi këtë incident si jashtëzakonisht të rëndë.

“Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor,” thuhet në komunikatën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ai shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bëri një apel të fortë për ndërgjegjësim.

“Prokurori i Përgjithshëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha aspektet,” shton deklarata.

Për të garantuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, Prokurori i Përgjithshëm ka urdhëruar një hetim të shpejtë dhe tërësor.

“Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit,” përfundon në deklaratën e tij Prokurori i Përgjithshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme