Vrasja e policit në Fier, Balla: U bëj thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndojnë akuzat, të dorëzohet

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar të hënën në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier, ku një person vrau me armë zjarri një punonjës të policisë.
Balla i bëri thirrje autorit të dyshuar të ngjarjes që të dorëzohet. Ndërsa familjarëve të tij u kërkoi të ushtrojnë ndikim, në mënyrë që autori ti japë fund arratisë.
Sipas tij, çdo ngjarje kriminale, është në detyrën e Policisë së Shtetit që të bëjë sa më shpejt të jetë e mundur zbardhjen e saj.
“Dua që të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndiej për humbjen e jetës së një punonjësi Policie. Dhe po ashtu të nxis Policinë e Shtetit, drejtuesit e saj që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit. E them shpesh që ne duhet të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorë ndaj një punonjësi policie, e, më rëndë se kaq, të përdorësh armën kundër një punonjësi policie.”, tha Balla.
Ministri nuk bëri interpretime të informacioneve paraprake, dhe se ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje.
“Por si përgjegjësi e parë që bie mbi Policinë e Shtetit është pjesa lidhet me identifikimin e menjëhershëm të autorëve. Kam besim që Forca Kombëtare e Sigurisë, forcat RENEA dhe të gjitha forcat e Policisë së Shtetit, të cilat janë në këtë operacion të madh kërkimi, të konkludojnë dhe këtu dua t’u bëj një thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndojnë akuza, të dorëzohet!”, tha Balla.
Rrumbullaku: Do të bëjmë gjithçka për kapjen e autorit
Për ngjarjen ka reaguar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Muhamet Rrumbullaku
“Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, që është zhytur në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit. Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë. Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se, do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë.”, deklaroi Rrumbullaku.
Ai ka shprehur bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit.
“E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenojë uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.”, tha Rrumbullaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




