Vrau babain me thikë – Autori i qeshur në gjykatë, avokatja kërkon vlerësim të shëndetit mendor
Gjykata e Durrësit la në burg pa afat Marjan Kodhelin, i cili akuzohet se vrau me thikë babain e tij Pjetër Kodheli, ku përpara togave të zeza i riu ishte i qeshur.
Pak para se të jepej vendimi, Marjan Kodheli tha në sallën e gjyqit se nuk është dakord që është konsideruar person i rrezikshëm.
“Mua po më sulmonin, nuk e di kush më ka sulmuar. Mund të ketë qenë dikush tjetër që e ka sulmuar. Më vjen shumë keq që jam këtu për një situatë të tillë. Mbase bëjmë një senacë tjetër kur të jem më i qetë. Unë nuk jam njeri agresiv, jam marrë me punë të ndershme në ndërtim”.
Prokurorja e çështjes Matilda Fetahu tha se janë marrë dëshmitë e familjarëve pas ngjarjes nga ku rezulton se Marjani ka qenë i mërzitur atë ditë. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe e ëma e tij.
Në momentin që ajo ka dalë jashtë për t’u kujdesur për bagëtitë, ka dëgjuar britmat e Pjetrit dhe më pas është kthyer në banesë, ku ka parë Marjanin duke e goditur të atin me thikë në trup. Ajo ka tentuar t’ia marrë thikën, por nuk ka mundur.
Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin. Meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka goditur sërish të atin dy herë të tjera, përpara se të merrte celularin dhe të largohej përfundimisht nga banesa.
Avokatja që e mbron Kodhelin kërkoi vlerësimi e shëndetit mendor të klientit të saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën e kaluar në fshatin Shkallnur të Durrësit, pas një grindje në banesën e familjes Kodheli.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




