Vrau bashkëfshatarin për kanalin vaditës. Lihet në burg autori: “Ndiej keqardhje, por më rrahën babain vite më parë”

Aktualitet | 1 vit më parë

Autori i vrasjes së bashkëfshatarit për një kanal vaditës në Divjakë u paraqit të premten (22 gusht) pranë Gjykatës së Fierit për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Ai u shoqërua nga disa efektivë blu për në mjediset e gjykatës, ku togat e zeza rikonfirmuan masën e dhënë më herët, duke e lënë në burg.

Njëzetepesëvjeçari Xheison Toromeni tha para togave të zeza se ndihej i keqardhur, por tregoi shkakun e vendimit që mori.

“M’u errën sytë kur pashë Besmirin të ulur në kafe. Më kapi inati dhe m’u kujtua rrahja që i kishin bërë babait disa vite më parë. Nxora biçakun dhe e qëllova! Ndiej që gabova,” mësohet se deklaroi ai.

Autori u shfaq i qetë gjatë seancës përballë togave të zeza, ndonëse pak ditë më parë goditi me mjet prerës thikë 32-vjeçarin Besmir Kumria, duke e lënë të vdekur.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 19 gushtit, në lokalin e fshatit Kryekuq të Divjakës, ku menjëherë pas krimit, autori u largua, por u kap pas disa orë përndjekje nga shërbimet operacionale të Policisë Fier.

Toromeni e vrau 32-vjeçarin Kumria pasi familjet e tyre kishin konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.

Mbi 25-vjeçarin rëndojnë veprat e rënda penale “Vrasja me paramendim” dhe “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme