Zaptimi i hapësirave publike, Rama denoncon rastin: Shumë shpejt, paketë speciale ligjore për dhunuesit

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka  paralajmëruar një paketë “speciale” ligjore për personat që dhunojnë hapësirën publike. Në një postim në rrjetet sociale, ku denoncon rastin e një personi që shihet duke lyer me bojë një varkë në hapësirën publike, kryeministri shkruan se kushdo që dhunon hapësirën publike duhet të ndëshkohet penalisht.

“Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare duke i gjobitur. Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet të ndëshkohet penalisht. Shumë shpejt do të kemi një paketë speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”, shkruan Rama.

Prej disa javësh, në vend ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike, teksa kryeministri Edi Rama ka njoftuar se së shpejti bizneseve do t’i jepet edhe një plan veprimi. Sipas këtij plani, tha kryeministri, 75% e hapësirës do të jetë për këmbësorët dhe 25% do të shfrytëzohet nga njësitë e shërbimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme