Zaptimi i plazheve publike, gjobiten 2 subjekte në Vlorë, Gonxhja: Zero tolerancë, vijojmë monitorimin në të gjithë territorin
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka paralajmëruar masa të forta ndaj subjekteve private që zaptojnë hapësirat publike në plazhet e vendit. Gjatë një inspektimi në Vlorë, ai deklaroi se toleranca për raste të tilla do të jetë zero dhe se monitorimi do të vijojë në të gjithë territorin.
“Sot kemi përcaktuar edhe njëherë që toleranca për rastet kur cenohet, zaptohet, abuzohet, preket prona publike në plazhet publike, në parcelat që janë jeshile, toleranca do të jetë zero. Kemi qenë edhe në bashki të tjera dhe po vijon monitorimi në të gjithë territorin. Jemi në krah të bashkive, duhet të ketë koordinim. Ka edhe raste ku ka ngatërresa, por disa raste sot ishin shqetësuese sepse ishin zaptime të pastra të parcelave të cilat janë stacione plazhi publike të lira. Është e patolerueshme që këto zona të preken”, tha Gonxhja.
Gjatë kontrolleve në Vlorë u sekuestruan shezlonge dhe çadra të vendosura pa leje, ndërsa dy subjekte u gjobitën me rreth 300 mijë lekë të reja secili.
“Janë sekuestruar shezlonge dhe çadra. Gjoba është rreth 300 mijë lekë të reja për këtë shkelje që do vendoset sot në 2 raste. Kush nuk do të bëjë një shaka të tillë me ekonominë e vet, është mirë të mos e vijojë këtë tentativë sepse ne do të jemi këtu në mënyrë konstante”, theksoi ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




