Zbardhen vrasjet në Vlorë dhe Fushë-Krujë, në Orikum arrestohen Flodian Plaku dhe Julian Aliaj. Policia: Ishin të armatosur gati për qitje

Policia e Vlorës ka arrestuar pas një operacioni në Orikum 42-vjeçarin Flodian Plaku, i njohur edhe si Florjan Serjani dhe Mamo, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dyshuar për disa vrasje të ndodhura brenda dhe jashtë qytetit të Vlorës.
Plaku akuzohet për ekzekutimin e ish-policit të Burgjeve, Gentian Bejtja, më 15 mars 2024 në Fushë-Krujë, vrasje e kryer për hakmarrje dhe rivalitet mes grupeve kriminale.
Në momentin e arrestimit, Plaku ishte i armatosur me pistoletë, me fishek në fole gati për qitje. Gjatë kontrollit iu sekuestruan një armë zjarri, 17 fishekë, 25 mijë euro kesh dhe 7 celularë.
“Për këtë shtetas, Gjykata e Tiranë me 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Ky shtetas akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin”, tha drejtori i Policisë së Vlorës.
Policia arrestoi gjithashtu tre persona të tjerë, të akuzuar për strehimin dhe ndihmën që i kanë dhënë Plakut gjatë arratisjes.

Gjatë të njëjtit operacion u kap edhe Julian Aliaj (Pashaj), 43 vjeç, i shpallur në kërkim për vrasjen e Renato Hoxhës, ndodhur më 27 prill 2025 në Vlorë. Aliaj u gjet i armatosur me pistoletë dhe fishekë. Më 1 gusht 2025, u arrestua edhe Kleanth Bylyku (Armando Gega), 42 vjeç, një tjetër i dyshuar për vrasjen e Hoxhës.
Renato Hoxhaj u vra më 27 prill 2025 në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Ai u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




