Zbardhet plagosja në zonën e Freskut, arrestohet autori, në kërkim dy porositësit

Aktualitet | 11 muaj më parë

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 6 dhjetor në rrethrrotullimin e zonës së Freskut, ku një person u plagos rëndë me sende të forta. Si rezultat i hetimeve, janë identifikuar tre persona të përfshirë, mes tyre autori i dyshuar dhe dy porositës të ngjarjes.

Në pranga është vënë Helidon Marku, 49 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes. Ndërkohë, Gjokë Ndrevataj, 36 vjeç, dhe Xhemal Uka, 30 vjeç, janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë porositur kryerjen e sulmit për “motive të dobëta”.

Sipas policisë, të tre personat janë të njohur më parë për drejtësinë dhe kanë precedentë penalë për vepra kundër personit. I arrestuari Marku rezulton gjithashtu me precedent për armëmbajtje pa leje.

Në gjendje të lirë u la shtetasi T. D., 33 vjeç, i cili dyshohet se ka shoqëruar autorin e dyshuar në momentin e ngjarjes dhe ka refuzuar të japë dëshmi në polici, ndonëse mendohet se ka pasur dijeni për rrethanat.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme