Zbardhet takimi Lamallari–Nordio: Reforma ligjore dhe rehabilitimi i të burgosurve në fokus

Gjatë qëndrimit në Romë me kabinetin qeveritar, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, është pritur në takim zytar nga homologu i tij italian, Carlo Nordio.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari thotë se ka disktuar mes të tjerash për mbështetjen që Italia mund t’i japë Shqipërisë në ndryshimet ligjore për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, por edhe për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Në një reagim nw rrjet sociale, ai bëri të ditur se biseda ishte miqësore dhe tejet produktive, duke u fokusuar në forcimin e marrëdhënieve juridiksionale dhe bashkëpunimin dypalësh.
“Kënaqësi e veçantë që vizitën time të parë zyrtare si Ministër Drejtësie ta zhvilloja në Itali dhe për më tepër të takohem me homologun tim italian Carlo Nordio, me të cilin patëm një bisedë miqësore e tejet produktive për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe në mënyrë të posaçme marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Diskutuam gjithashtu për mbështetjen që Italia mund të na japë në ndryshimet ligjore që ne do të bëjmë për Kodet Penale dhe të Procedurës Penale, por edhe në ambicien tonë për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Ne e çmojmë shumë partneritetin me Italinë fqinje, kontributin e saj të jashtëzakonshëm për forcimin e shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe avokatinë e pandalshme për integrimin e Shqipërisë në BE,” – shkruan Lamallari.
Në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare, Shqipëria dhe Italia shkëmbyen 15 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi, duke thelluar partneritetin në fusha kyçe strategjike – nga siguria dhe mbrojtja civile te energjia, kultura dhe bashkëpunimi ekonomik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








