Zbulim i rrallë arkeologjik në Bishçukas, gjetje të rëndësishme nga periudha ilire në kodrat mes Divjakës e Lushnjës

Kulturë | 1 vit më parë

Në kodrat e Bishçukasit në Divjakë po kryhen gërmime arkeologjike që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për periudhën ilire.

Punimet zhvillohen prej disa javësh nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Muzeun Historik të Lushnjës.

Këto janë gërmimet e para në këtë zonë dhe deri tani janë zbuluar një bazilikë, disa monedha të hershme, një kolonë graniti dhe mbetje skeletesh, që mendohet t’u përkasin periudhave të ndryshme, nga helenistike te mesjeta e vonë.

“Është një bashkëpunim shumë i madh për të nxjerrë një gjë të bukur në dritë,” thotë Regiana Hidi, përgjegjëse e sektorit arkeologjik.

Sipas specialistëve, zbulimi nisi pas informacioneve nga banorët, të cilët gjatë punës në tokat bujqësore kishin hasur objekte me vlerë historike, që iu dorëzuan muzeut të Lushnjës.

“Fati i ndihmon gjithmonë guximtarët. Aty ka dalë një strukturë dhe një kolonë e vjetër. Shpresojmë që me vazhdimin e punimeve do të mësojmë më shumë se çfarë strukture është: objekt kulti apo ndonjë ndërtesë e hershme. Do të jenë të dhënat arkeologjike ato që do ta tregojnë,” sqaron arkeologu Dr. Niko Ferro.

Në gërmime janë të përfshirë edhe studentë të arkeologjisë, të cilët përmes praktikës dokumentojnë historinë në terren.

“Eksperienca ime si studente është shumë frytdhënëse, pasi vëmë në praktikë të gjithë informacionin që e kemi marrë teorikisht në shkollë,” shprehet studentja e Arkeologjisë, Xhesika Buraku.

Gërmimet janë ndarë në dy sondazhe dhe zona e “Shën Gjergjit” shihet si një prej pikave më të rëndësishme për zbulime arkeologjike në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme