Zbulohet magazina me kanabis në Tiranë, arrestohen 5 anëtarë të grupit kriminal

Zbulohet magazina me lëndë narkotike në Tiranë. Pesë persona, anëtarë të grupit kriminal janë arrestuar nga blutë e kryeqytetit.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit në një magazinë me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.
Sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga dy anëtarët e grupit kriminal.
Nga kontrollet në magazinë dhe banesën e njërit prej këtyre anëtarëve, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1 armë tjetër zjarri, 2 armë të ftohta, 2 automjete, 6 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta”, thuhet në njoftim.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




