Zef Bushati në RTSH 24: Papa Françesku, figurë e jashtëzakonshme për njerëzimin
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, Zef Bushati, i ftuar në studion e RTSH 24, ndërsa ka shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, e cilësoi atë si një nga figurat më të fuqishme shpirtërore dhe filozofike të kohës moderne.
“Papa Françesku ishte autoritet jo vetëm për Vatikanin, por edhe për shumë shtete të tjera. Një personazh shumë i rëndësishëm në botë, një figurë shumë komplekse,” u shpreh Bushati.
Sipas tij, roli i Papës nuk kufizohej vetëm në drejtimin shpirtëror të Kishës Katolike, por edhe në mesazhet që ai i përcillte qytetarëve në botë dhe udhëheqësve shtetërorë.
“Papa nuk shihet vetëm si Ati shpirtëror i të krishterëve, por edhe si një personalitet i nivelit të një filozofi, një njeri i ditur që jepte gjithmonë mesazhe për njerëzimin, për ata që drejtojnë shtetet, për të varfrit dhe për forcimin e paqes në botë.”
Bushati kujtoi me krenari faktin që vizita e parë ndërkombëtare e Papa Françeskut ishte pikërisht në Shqipëri. Ai e cilësoi këtë si një “surprizë me qëllim”, duke theksuar se nuk ishte një zgjedhje gjeopolitike, por një vlerësim për bashkëjetesën fetare në vendin tonë.
“Ishte një surprizë e madhe që Papa zgjodhi Shqipërinë për vizitën e parë. Nuk ishte rastësi. Vizita nuk ishte e motivuar nga gjeopolitika, por nga vlerësimi për bashkëjetesën tonë fetare. Komunitetet fetare në Shqipëri janë si një familje e madhe. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme që Papa donte ta kthente në një model për gjithë botën,” u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Bushati foli edhe për respektin që Papa Françesku tregoi për shqiptarët në përgjithësi, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës.
Bushati u shpreh se Papa kishte ndikim real në Ballkan, jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprimeve konkrete dhe qëndrimeve diplomatike.
“Papa kishte një konsideratë të veçantë për shqiptarët. Sa herë që kishte raste, ai priste grupe shqiptare që dëshironin ta takonin,” deklaroi ai.
Duke komentuar dëshirën e Papa Françeskut që të mos prehej në Vatikan pas vdekjes, Zef Bushati theksoi se “Kjo nuk ishte surprizë. Që në fillim të misionit të tij, ai kërkonte të zhveshte figurën e Papës dhe të zyrtarëve të tjerë nga çdo formë luksi. Ai nuk e vlerësonte luksin as te kryqet që mbanin kardinalët. Kishte thënë se nuk ka rëndësi nëse kryqi është prej floriri apo jo – ajo që ka rëndësi është besimi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




