Zelensky bisedë telefonike me Erdogan: Turqia, rol kyç në garantimin e sigurisë së Ukrainës

Botë | 1 vit më parë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdoğan dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilluan një bisedë telefonike për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, procesin e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe çështje rajonale e globale. Zelensky theksoi se diskutimet u përqendruan gjerësisht te garancitë e sigurisë.

“Këshilltarët e sigurisë kombëtare po punojnë për çdo komponent specifik, dhe korniza e plotë do të përcaktohet në letër javën e ardhshme. Presidenti Erdoğan më informoi se po angazhon ministrin e tij të Mbrojtjes për të eksploruar se si Turqia mund të kontribuojë në garantimin e sigurisë, veçanërisht në Detin e Zi,” tha ai.

Gjatë bisedës, liderët shkëmbyen pikëpamje mbi situatën aktuale dhe diskutuan hapat e ardhshëm diplomatikë.

Zelensky nënvizoi se Ukraina është e gatshme të angazhohet në formatin e liderëve, duke e cilësuar atë si të vetmin format efektiv.

“Fatkeqësisht, Rusia e shmang këtë dhe vazhdon luftën,” shtoi ai.

Presidenti ukrainas rikujtoi sulmin e fundit rus gjatë natës, ku u përdorën mbi 30 raketa dhe gati 600 drone, duke vrarë 17 persona, përfshirë katër fëmijë, dhe duke lënë dhjetëra të tjerë në gjendje kritike.

Sulmet goditën një ndërmarrje turke, ambasadën e Azerbajxhanit, Delegacionin e BE-së, Këshillin Britanik dhe zona rezidenciale.

“Kjo është përgjigjja e Putinit ndaj përpjekjeve të Ukrainës, SHBA-së dhe partnerëve evropianë për të ndalur vrasjet. Prandaj nevojitet presion – përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike. Ne presim hapa të fuqishëm,” theksoi Zelensky.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke raportoi se Erdoğan theksoi se Turqia po ndjek nga afër kontaktet në Alaska dhe Uashington dhe po vazhdon përpjekjet për një paqe të qëndrueshme.

Ai shtoi se Turqia do të kontribuojë në sigurinë e Ukrainës pas vendosjes së paqes dhe se një “zgjidhje e drejtë e konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë është e mundur”.

Erdoğan rikonfirmoi gatishmërinë e Turqisë për të mundësuar kontakte të nivelit të lartë që do të hapin rrugën drejt paqes.

Sipas Zelenskyt, një takim i mundshëm mes tij, liderit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump mund të zhvillohet në një nga vendet neutrale evropiane si Zvicra, Austria ose Turqia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme