Zelensky në OKB: Ndalojeni Putinin tani, ose lufta do të zgjerohet përtej Ukrainës

Botë | 1 vit më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Vladimir Putin do të vazhdojë ta zgjerojë luftën përtej Ukrainës nëse nuk ndalet menjëherë.

“Paqja varet nga të gjithë ne. Nuk ka garanci të vërteta sigurie përveç miqve dhe armëve,” tha ai, duke e quajtur situatën aktuale “garën më shkatërruese të armatimeve në historinë e njerëzimit”.

Zelensky theksoi se ndalimi i Putinit tani është më i lirë sesa një garë globale armatimesh apo mbrojtja në të ardhmen. Ai nënvizoi se Ukraina, ndryshe nga diktaturat, nuk ka “raketa gjigante për parada”, por është detyruar të zhvillojë dronë për mbrojtje.

Presidenti ukrainas bëri thirrje të mos përsëriten gabimet e së shkuarës me Moldavinë, duke kujtuar dështimin për të mbrojtur Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë nga ndikimi rus.

“Rusia po përpiqet t’i bëjë Moldavisë atë që Irani i bëri Libanit dhe përgjigja globale përsëri, jo e mjaftueshme. Ne e kemi humbur tashmë Gjeorgjinë në Evropë dhe për shumë, shumë vite, Bjellorusia gjithashtu ka lëvizur drejt varësisë nga Rusia. Evropa nuk mund të përballojë humbjen e Moldavisë gjithashtu” tha ai, duke kërkuar mbështetje konkrete financiare dhe energjetike për vendin fqinj.

Zelensky akuzoi Rusinë për refuzimin e çdo armëpushimi dhe për rrëmbimin e “mijëra” fëmijëve ukrainas.

“E drejta ndërkombëtare nuk funksionon plotësisht nëse nuk ke miq të fuqishëm të gatshëm ta mbrojnë atë dhe as kjo nuk funksionon pa armë,” përfundoi Zelensky.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme