Zëvendëspresidenti i Autoritetit Palestinez takon Tony Blairi-in, diskutohet armëpushimi dhe rindërtimi i Gazës

Lindja e Mesme | 1 vit më parë

Zëvendëspresidenti i Autoritetit Palestinez, Hussein al-Sheikh, ka deklaruar se ka zhvilluar një takim me ish-kryeministrin britanik Tony Blair, i cili pritet të udhëheqë një organ tranzitor pasluftarak për Rripin e Gazës.

Takimi u fokusua në “armëpushimin dhe fillimin e rikuperimit dhe rindërtimit” në këtë zonë.

Sipas al-Sheikut, i cili postoi në platformën ‘X’, dyshja diskutuan “ditën pas luftës dhe përpjekjet për të bërë të suksesshëm planin e presidentit Trump, i cili synon ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në rajon”.

“Ne kemi konfirmuar gatishmërinë tonë për të punuar me presidentin Trump, z. Blair dhe partnerët për të konsoliduar armëpushimin, hyrjen e ndihmës, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, dhe më pas të fillojmë me rikuperimin dhe rindërtimin”, ka theksuar ai.

Al-Sheiku u shpreh gjithashtu se “minimi i Autoritetit Palestinez duhet të ndalet”, duke dhënë si shembull kundërshtimin e Izraelit ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe mbajtjen e të ardhurave tatimore nga PA për shkak të pagesave mujore për të burgosurit, përfshirë terroristët, dhe familjet e agresorëve të vdekur.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur nga presidenti Trump është propozuar plani 20-pikësh për të përfunduar konfliktin gati dy-vjeçar mes Izraelit dhe Hamasit.

Plani parashikon një armëpushim të fazuar, tërheqje izraelite, lirimin e pengjeve dhe hyrjen e ndihmës humanitare, si dhe krijimin e një bordi tranzitor ndërkombëtar për Gazën, të quajtur “Bordi i Paqes”, i cili do të kryesohet nga vetë Trump dhe do të përfshijë Tony Blairin si anëtar kryesor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme