Zgjedhje vendimtare në Çeki – Babis kryeson sondazhet, premton rritje pagash dhe ndalim ndihmash për Ukrainën

Në Çeki, zgjedhjet që mbahen të premten dhe të shtunën pritet të sjellin një ndryshim të madh politik, pasi sondazhet tregojnë se qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Petr Fiala është në rënie, ndërsa populisti miliarder Andrej Babiš pritet të rikthehet në pushtet me premtime për rritje pagash dhe ekonomi më të fortë.
Babiš ka premtuar gjithashtu se do të ulë ndihmat për Ukrainën, qëndrime këto që e vendosin atë në një linjë me aleatin e tij, kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Sipas agjencisë “Reuters”, një fitore e mundshme e Babiš-it do të forconte kampin populist në Evropë dhe mund të dëmtojë konsensusin për politikat klimatike dhe qëndrimin ndaj emigrantëve.
Pas goditjes nga inflacioni dhe pasojat e luftës në Ukrainë, shumë qytetarë çekë janë të pakënaqur me ritmin e rimëkëmbjes dhe me përpjekjet e qeverisë për të ulur deficitin.
Analistët theksojnë se që nga viti 1996, asnjë qeveri në Çeki nuk ka fituar një mandat të dytë. Grupi i Babiš-it, sipas sondazheve, mund të marrë mbi 30 për qind të votave, duke e lënë pas me rreth 10 për qind koalicionin Spolu të kryeministrit Fiala.
Megjithatë, edhe me një aleat të vogël, ai nuk pritet të sigurojë shumicën në parlamentin me 200 vende. Në këtë situatë, Babiš mund të detyrohet të kërkojë mbështetjen e partive kundër BE-së dhe NATO-s, përfshirë SPD-në e ekstremit të djathtë dhe partinë e majtë Stacilo! Ai vetë është shprehur se nuk mbështet daljen e vendit nga BE apo NATO dhe e ka kundërshtuar idenë për referendum mbi këtë çështje.
Qeveria aktuale e ka akuzuar Babiš-in se do ta largojë Çekinë nga kursi demokratik perëndimor, por ai i ka hedhur poshtë këto akuza.
Megjithatë, fushata e tij ka ngjallur shqetësime në Bruksel për ndikimin që një qeveri e drejtuar prej tij mund të ketë në unitetin evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




