Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë/ Elezi: 18 parti konfirmojnë pjesëmarrjen, afati përfundon nesër

Teksa afati për deklarimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 7 qershorit po shkon drejt përfundimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani 18 parti politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTK-në se, deri të mërkurën në mesditë (6 maj), katër parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen, ndërsa është regjistruar edhe një koalicion i përbërë nga dy subjekte politike.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo krijimin e koalicioneve ka nisur më 1 maj dhe përfundon më 7 maj, duke u aplikuar për 53 partitë e regjistruara aktualisht në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare, ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë subjekte nga komunitete të ndryshme, përfshirë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe parti të tjera nga komunitetet joshumicë.
Ndërkohë, katër parti kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa deri tani është regjistruar vetëm një koalicion, “Koalicija VAKAT”, i formuar nga dy parti boshnjake.
KQZ sqaron se procesi i njoftimit për pjesëmarrje është i ndarë nga ai i certifikimit të subjekteve të reja politike dhe dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë.
Afati për aplikimin për certifikim të subjekteve të reja ka nisur më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë do të vijojë deri më 12 maj.
Autoritetet zgjedhore theksojnë se të gjitha procedurat po zhvillohen përmes platformave elektronike, në përputhje me praktikat e zgjedhjeve të fundit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




