Zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, PD takime me partitë opozitare për të dalë me kandidat të përbashkët

Partia Demokratike vijoi të dielën konsultimet dhe negociatat intensive me partitë e tjera opozitare, duke synuar përzgjedhjen e emrit të kandidatit të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Ky proces vjen si reagim ndaj zgjedhjes së Ogerta Manastirliu nga Partia Socialiste.
Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe negociator i caktuar nga Sali Berisha, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Partisë së Lirisë (PL), Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto.
Në përfundim të takimit, Noka konfirmoi se opozita po punon për të gjetur një figurë që do të jetë një alternativë serioze ndaj qeverisjes socialiste.
“Opozita vazhdon konsultimet dhe bisedimet për t’i dhënë Tiranës, edhe bashkive të tjera, një figurë me dinjitet, përfaqësuese, që të ketë në fokus qytetarin, hallet dhe problemet e tij. Ndryshe nga regjimi i narkos,” u shpreh Noka.
Ai shtoi se ndonëse ka shumë kandidatë, qëllimi është unifikimi i qëndrimeve dhe parametrave që duhet të plotësojë kandidati i përbashkët. Noka la të kuptohet se emri do të bëhet publik shumë shpejt: “Për çështje ditësh do të kemi emrin e kandidatit nga opozita për bashkinë e kryeqytetit.”
I pyetur për takime me drejtues të partive të reja si Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, Noka konfirmoi se po vazhdojnë “takimet intensive me të gjitha forcat politike parlamentare”, duke përjashtuar vetëm “të majtën radikale të Arlind Qorrit.”
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, theksoi se kandidatura e opozitës do të jetë një kurë për kryeqytetin.
“Përballë kandidates së Covid-it, ne po zgjedhim vaksinën e duhur, që do shërojë një herë e përgjithmonë kryeqytetin. Sigurisht do të jetë një kandidaturë e cila do e kthejë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve, e do të japë një herë e përgjithmonë fund paligjshmërisë, abuzimit, korrupsionit në këtë institucion,” tha Blushi.
Ky raund i takimeve pason konsultimet e djeshme të Grupit të Punës së PD-së me aleatët tradicionalë, si Fatmir Mediu i Partisë Republikane dhe Agron Duka i PAA-së, duke shënuar kështu një përpjekje të opozitës për të dalë me një front të unifikuar në garën për Bashkinë e Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




