Zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, Celibashi: Votojnë 992 mijë qytetarë në 6 bashki, kostoja rreth 306 milionë lekë

Politikë | 1 vit më parë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për shtyp, foli mbi përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të 9 nëntorit në gjashtë bashki të vendit.

Ai u shpreh se kostot e procesit zgjedhor kapin një vlerë prej 306 milionë lekësh, ku përfshihet logjistika, personeli dhe identifikimi elektronik.

“Në një vlerësim paraprak që i kemi bërë kostove të këtyre zgjedhjeve, kemi një vlerë te rreh 306 milionë lekë përafërsisht, por nesër ose pasnesër do e kemi të finalizuar buxhetin për këto zgjedhje”, tha Celibashi.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, lidhur me aplikimin e votimit elektronik, deklaroi se kjo mbetet ende në fazë diskutimi, por nuk shihet si e arsyeshme për shkak të kohës së shkurtër dhe mungesës së eksperiencës së zgjedhësve në këto bashki.

“Për kohën, ne e kemi parë si jo shumë të gjetur nëse do merrnim vendim për të zhvilluar votim elektronik në disa qoftë edhe në një njësi zgjedhore, por do të bënte sens nëse do të ishte rasti i ndonjërës prej atyre  njësive zgjedhore ku më përpara është aplikuar votimi elektronik sepse në këtë rast do kishim votues që do kishin një eksperiencë të krijuar. Zgjedhësit në këto njësi zgjedhore janë familjarizuar me votimin me fletë”, deklaroi Celebashi.

I pyetur nga gazetarët për dekretin e Presidentit mbi Tiranën, Celibashi theksoi se KQZ nuk ka kompetencë të diskutojë vendimmarrjet e institucioneve të tjera, por vetëm detyrimin ligjor për të organizuar zgjedhjet.

“KQZ ka vetëm një përgjegjësi, organizimin e zgjedhjeve që dekretohen nga një institucion apo autoritet tjetër publik, siç është Presidenti i Republikës. KQZ nuk mund të vërë në diskutim çfarë është zhvilluar nga çdo pikëpamje, deri në daljen e dekretit. Detyra e KQZ është të përgatisë procesin zgjedhor për të 6 bashkitë dhe nuk e ka fare të lejuar të vërë në diskutim apo të debatojë vendimmarrjet qoftë të institucionit të Presidentit, Këshillit të Ministrave apo të ndonjë institucioni tjetër”, u shpreh ai.

Në lidhje me numrin e zgjedhësve, ai bëri të ditur se si referencë është marrë lista e zgjedhjeve të 11 majit, ku përfshiheshin rreth 992 mijë qytetarë në gjashtë bashkitë: Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Mat, Cërrik dhe Berat.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme