Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, PD mbështet kandidaturën e Florjan Binajt: Luftëtar i paepur i kauzave qytetare, do gjejë ndihmën e forcës sonë

Politikë | 1 vit më parë

Partia Demokratike ka mbështetur kandidaturën e Florjan Binajt për zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Tiranës.

Në një konferencë për medie, Berisha deklaroi se do u paraqesë aleatëve sugjerimin për të mbështetur artistin Florjan Binaj si kandidat të pavarur për zgjedhjet e 9 nëntorit.

“PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosin të paraqes kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi që është Edi Rama, informon se, grupi i mandatuar nga PD do t’u paraqesë aleatëve, mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, komunikatorin e talentuar, e lindur Florjan Binaj.

Shpresoj që aleatët opozitarët të bashkohen në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar, qytetarët e Tiranës.

Asnjë hap nuk mund të ndërmerret pa kandidatin dhe do jetë kandidati, në qoftë se kemi rënë dakord për një kandidat të pavarur, kjo nuk do thotë se ne do i diktojmë atij. Do jetë ai që do gjejë ndihmën që kërkon nga forca jonë politike dhe forcat e tjera politike. Jemi të gatshëm të angazhojmë, pas rënies dakord me forcat e tjera politike, të gjitha potencialet tona që kandidati e gjykon se i shërbejnë fitores së tij”, deklaroi Berisha.

Florjan Binaj shpalli një ditë më parë kandidaturën si kandidat i pavarur për Bashkinë e Tiranës.

Partia Socialiste e ka zyrtarizuar më 11 shtator kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kryebashkiake të Tiranës. Edhe Partia “Lëvizja Bashkë” ka propozuar kryetarin e saj, Arlind Qori, për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.

Zgjedhjet e 9 nëntorit do të mbahen në gjashtë bashki: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik. Fushata zgjedhore do të nisë më 1 nëntor, ndërsa afati për regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore përfundon më 11 tetor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme