Zgjedhjet për Tiranën, Dudushi: PS e organizuar, Manastirliu është e përgatitur me terrenin. PD ka probleme të thella, është në ngërç për kandidatin

Gazetari dhe moderatori Alban Dudushi ka komentuar garën për zgjedhjet në Tiranë dhe situatën politike pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Sipas Dudushit, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH me Arbër Hitajn, Partia Socialiste ka hyrë e përgatitur në zgjedhje me Ogerta Manastirliun si kandidate, e cila është një figurë e spikatur dhe me eksperiencë në Tiranë, pasi ka qenë pjesë e grupit drejtues për zgjedhjet e 11 majit.
Dudushi vlerësoi se PS funksionon si një forcë e organizuar dhe e strukturuar, ndërsa opozita vijon të ketë probleme të thella të brendshme.
“Kemi Manastirliun si kandidate për Tiranën që është e spikatur e PS dhe kemi një PS që vepron në mënyrë perfektë dhe të organizuar. Ajo pati një përvojë me Tiranën kur ishte pjesë e grupit drejtues për zgjedhjet 11 majit. Ajo është shumë më përpara në terren, ndërsa kandidati i PD do ketë problem se ka nga pas një forcë politike që është shumë problematike. Situata brenda PD mendoj se dhe vetë Berisha është në një ngërç të madh për gjetjen e një kandidati për Tiranën. Sot opozita 180 gradë ndryshoi sjelljen dhe pati debat brenda sallës së Parlamentit. Problemi i opozitës është shumë më i madh se sjellja e saj në parlament dhe kjo është kryesorja që ato duhet të kuptojnë”, tha Dudushi.
Në lidhje me shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, Dudushi tha se ishte një vendim politik. Ai nënvizoi se Veliaj nuk u gjykua për performancën e tij në krye të bashkisë, por përkundrazi u lavdërua për punën e tij, ndërsa koha kur u mor vendimi u përcaktua nga llogaritjet politike.
“Shkarkimi i Veliajt, ishte vendim politik dhe jo gjykimi. Pra nuk është gjykuar Veliaj në krye të Tiranës por është lavdëruar për performancën e tij. Si vendim politik është menduar politikisht dhe në kohën se kur do të bëhej. Veliaj u arrestua në shkurt dhe ishim para zgjedhjeve parlamentare dhe nuk ishte plotësuar koha e 3 muajve mungesë. Duhej mbyllur njëherë periudha dhe produkti që sollën zgjedhjet e reja. Veliaj po vepron si person që procuderialisht duhet të dokumentojë gjithçka pasi është në një betejë e gjatë juridike dhe brenda kësaj beteje është edhe kjo betejë e shkarkimit si kryetar bashkia dhe duhet t’i fusë në një dosje dhe të thotë “ja cilat shkelje që më janë bërë”. Unë besoj se shumë gjëra do varen se si do vijojë procesi i zotit Veliaj me drejtësinë, por shumë e shohin si të pushkatuar politikisht dhe pa të ardhme në politikë”, tha Dudushi.
Vendi do i drejtohet zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki, ku Dudushi tha se nuk do ketë surpriza në rezultate, por me interes për të është “Tirana për të parë rikuperimin e socialistëve për shkak të Veliajt”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




