Zjarret dhe vala e të nxehtit përfshijnë Europën, mijëra të evakuuar

Zjarret e egra dhe vala ekstreme e të nxehtit po godasin vendet e Mesdheut dhe disa pjesë të Europës Qendrore, duke çuar temperaturat mbi 40°C në shumë zona. Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po e bën verën në rajonin mesdhetar gjithnjë e më të nxehtë dhe të thatë, duke shtuar numrin e zjarreve çdo vit.
Në Spanjë, temperaturat arritën deri në 44°C, ndërsa Ministria e Brendshme shpalli “gjendje para-emergjence” për të mobilizuar shërbimet kombëtare në shuarjen e zjarreve. Rajoni i Castile dhe Leon është përfshirë nga 32 zjarre të mëdha, me mbi 1,200 zjarrfikës në terren dhe mijëra banorë të evakuuar.
Në Portugali, mbi 1,300 zjarrfikës dhe 14 avionë po luftojnë me tre zjarre të mëdha në veri, njëri prej të cilëve në Vila Real ka 10 ditë që digjet. Ndihmë ka ardhur edhe nga Maroku me dy avionë zjarrfikës.
Edhe rajoni i Ballkanit dhe Evropa Qendrore janë përfshirë nga temperaturat ekstreme.
Në Shqipëri dhe Mal të Zi, autoritetet kanë paralajmëruar për valë të të nxehtit mbi 40°C. Helikopterë nga Çekia, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmuan Shqipërinë në shuarjen e vatrave, ndërsa Mali i Zi mori mbështetje nga Serbia dhe Kroacia për një zjarr pranë Podgoricës.
Gjermania ka lëshuar alarme për nxehtësi mbi 30°C në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa Italia ka dhënë paralajmërime për vapë ekstreme në 16 qytete. Në Francë, pjesa më e madhe e vendit është në alarm të kuq ose portokalli për temperaturat e larta.
Në Greqi, erërat e forta kanë nxitur zjarre në Zakynthos, Kefaloni dhe në disa zona kontinentale, duke detyruar evakuimin e fshatrave dhe një hoteli.
Në Turqi, një zjarr i madh në provincën Çanakala detyroi evakuime dhe mbylljen e aeroportit dhe Ngushticës së Dardaneleve.
Autoritetet në të gjithë rajonin paralajmërojnë se rreziku për zjarre të reja është shumë i lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




