Zjarret – Flakët përhapen drejt zonës së mbrojtur të Ballollit në Poliçan. Situata më e qetë në Shkodër, s’ka rrezik për banesat

Situata e zjarreve në vend ka një përmirësim krahasuar me një ditë më parë. Në qarkun e Beratit disa vatra aktive vijojnë të jenë të konsiderueshme, ku flakët janë përhapur edhe në zonën e mbrojtur të Ballollit, por sërish më të qeta se një ditë më parë. Edhe në qarkun e Shkodrës situata me zjarret ka një përmirësim më të madh, ku vatrat janë nën monitorim dhe disa prej tyre drejt shuarjes së plotë.
Në Bashkinë Poliçan, zjarri është përhapur në Zonën e Mbrojtur – Rezervatin e Menaxhuar Balloll, duke përfshirë sipërfaqe pyjore. Në terren po punojnë forca të MZSH-së së Poliçanit dhe Dimalit, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, si dhe 30 ushtarë të Forcave të Armatosura. Situata konsiderohet e rëndë. Në qytetin e Poliçanit (zona Mbrakull) dhe në fshatrat Rehovë e Vokopolë, zjarret janë nën monitorim dhe situata është e qetë.
Vatra në fshatin Velçan ka marrë përmasa të mëdha në sipërfaqe me shkurre. Në terren po punojnë 20 zjarrfikës me 3 mjete të MZSH-së Berat dhe 25 forca të Bashkisë. Edhe në Bashkinë Skrapar, në fshatin Orizaj, në zonën “Rrip i Strorës”, zjarri vijon me intensitet të ulët në sipërfaqe me shkurre. Në operacione janë angazhuar zjarrfikës, forca vullnetare dhe shërbimi pyjor.

Në qarku Shkodër, krahasuar me një ditë më parë, situata është përmirësuar dhe nuk ka rrezik për banesat. Në Bashkinë Fushë-Arrëz, vatra në fshatin Xath është dobësuar ndjeshëm. Në terren janë të angazhuara 50 forca të ushtrisë, 15 efektivë të MZSH-së, 18 inspektorë të shërbimit pyjor dhe 30 persona nga administrata vendore, me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe AKMC-së.
Në Bashkinë Shkodër, një vatër vijon aktive në fshatin Ura e Shtrejt, në një zonë malore, nën monitorim të vazhdueshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




