Zjarret, Kumbaro me emergjencat civile: Sa më shumë komunikim me banorët dhe kryepleqtë
Ndërsa rreziku më i madh nga vatrat e zjarreve shtrirë në disa zona të vendit ka kaluar, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e pranishme në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në Gjirokastër, apeloi banorët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos djegin kullota, pasi një zjarr i shkaktuar nga pakujdesia është po aq i dëmshëm sa një zjarr i qëllimshëm.
“U bëj një thirrje çdo banori, çdo çobani, çdo fermeri, sidomos kryepleqve që të jeni të gjithë në gatishmëri të plotë. Është shumë më e thjeshtë dhe me shumë më pak kosto një sinjal i parë dhe ndalimi i përhapjes së këtij zjarri që në momentin e parë sesa kur ndërhyjmë pastaj me forca nga toka dhe nga ajri,” deklaroi znj. Kumbaro.
Ministrja falënderoi çdo hallkë të zinxhirit që u përfshi në luftë me flakët, ndërsa tërhoqi vëmendjen që në kohën e pikut të sezonit turistik, kur lëvizjet e njerëzve janë të shpeshta, të mbajmë sa më pastër territorin.
“Shpesh mbetjet mund të jenë burim zjarri. Tërhoqëm vëmendjen edhe që nëpër varreza, ndezja e qirinjve dhe lënia e tyre pa fikur në disa raste na është bërë shkak për të marrë zjarr vatra të vogla në varreza,” tha ministrja Kumbaro.
Apeli tjetër lidhej me organet e drejtësisë, ndaj të cilave ministrja kërkoi të mos ketë asnjë tolerim kur bëhet fjalë për individë që gjenden fajtorë si zjarrvënës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




