Zjarret në Francë/ Kryeministri Lecornu vizitë në zonat e prekura, pritet me protesta: Mungesë respekti

Botë | 3 muaj më parë

Pakënaqësia e banorëve të zonave të prekura nga zjarret është shfaqur hapur gjatë vizitës së kryeministrit francez Sébastien Lecornu në Le Porge, në rajonin e Girondës.

Kreu i qeverisë franceze u prit me fishkëllima nga një grup banorësh, ndërsa vizita e tij kishte në fokus situatën e krijuar pas zjarreve masive dhe planin për rindërtimin e zonave të dëmtuara.

Lecornu kishte planifikuar takime me zyrtarë vendorë, por pritja nga banorët ishte e tensionuar. Sipas BFMTV, disa prej tyre shprehën pakënaqësi për mënyrën se si kryeministri u takua me komunitetin, duke e konsideruar mungesën e një komunikimi të drejtpërdrejtë si “mungesë respekti”.

Në një gjest simbolik, banorët vendosën një karrige bosh, duke protestuar ndaj mungesës së kryeministrit në një takim të drejtpërdrejtë me ta.

Megjithatë, Lecornu zhvilloi bisedime me një grup përfaqësuesish të zonës përpara se të largohej nga Le Porge. Më pas, ai udhëtoi drejt Mérignac, ku vijoi takimet për pasojat e zjarreve dhe procesin e rindërtimit. Le Porge ishte një nga zonat e goditura rëndë nga zjarret në Gironde, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesa dhe prona, duke lënë pas një situatë të vështirë për komunitetet lokale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme