Zjarret në vend, 32 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, 9 ende aktive. Flakët në Dukat rrezikojnë Parkun e Llogorasë

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese, me një numër të konsiderueshëm vatrash të raportuara në 24 orët e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës së fundit janë evidentuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive, duke përfshirë zona të mbrojtura dhe po përhapen në zona me pyje dhe terrene të vështira.
Vatrat janë regjistruar në një sërë bashkish në të gjithë vendin, përfshirë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.
Vatrat ende aktive vijojnë të jenë në:
Dibër: Në zonën e “Liqenit të Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, janë dy vatra zjarri – një aktive në “Fusha e Pelave” dhe një tjetër mbi fshatin Gurë-Lurë që ndodhet nën monitorim.
Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër është aktive në zonën e fshatit Krajkë, ku ndërhyrja është e vështirësuar nga terreni dhe vegetacioni.
Mat: Në zonën e Zall Gjoçajt (“Përroi i Zi”), një zonë e mbrojtur me pisha dhe ah, ndërhyrja është e kufizuar për shkak të terrenit të thepisur.
Dibër (Maqellarë): Në fshatin Dovolan, zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës përreth Drinit të Zi.
Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon të jetë aktiv.
Vlorë: Në “Qafën e Shën Gjergjit”, mbi Dukat, është riaktivizuar një vatër në majen e Paliskës, ku janë angazhuar forca vendore, Forcat e Armatosura dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri.
Tepelenë: Në zonën afër Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.
Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i plotë i zjarrit. Deri më tani janë djegur rreth 65 hektarë pyje.
Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë një pyll me gështenja, duke marrë përmasa të mëdha.
Në total është djegur një sipërfaqe prej mbi 90 hektarësh kryesisht me shkurre dhe bimësi. Në këto operacione për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 110 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Ditën e sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




