Zjarret në vend, ministria e Mbrojtjes: 7 vatra aktive dhe 3 në monitorim, pa rrezik për banesat

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 20:00 të datës 17 gusht, në territorin e vendit janë regjistruar 13 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 129 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Sipas njoftimit zyrtar thuhet se, “Situata vijon të menaxhohet me angazhim të koordinuar të strukturave të Mbrojtjes Civile dhe përqendrim të kapaciteteve tokësore e ajrore në vatrat aktive. Në shumicën e zonave aktive nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa disa vatra janë izoluar, vënë nën kontroll ose shuar plotësisht.”

Në Mali i Dajtit, operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Ministria ka sqaruar se “nuk ka rrezik për zonat e banuara”, ndërsa Priska është nën kontroll dhe në monitorim, dhe në Vakumone zjarri është izoluar.

Në Gurë-Lurë, janë angazhuar 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë Air Tractor. “Korridoret e hapura kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara”, theksohet në njoftim.

Në Qafë Helmës, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe mbetet aktiv drejt Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara. Në Bruç, Mat, operacioni vijon në terren të vështirë me forcat vendore dhe vullnetare, të mbështetura nga 1 helikopter i FA, ndërsa nuk ka rrezik për banesa apo blegtori.

Në Lufaj, strukturat operacionale vijojnë punën, ndërsa 2 mjete zjarrfikëse të FA me 9 efektivë janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për gatishmëri. Aktualisht vatra nuk paraqet rrezik për banesat. Në Fushë-Lajë, Pukë, operacioni vijon me 9 efektivë MZSH, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA, pa rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në Rrjoll është shuar plotësisht.

Gjithashtu , Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë situatën në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Ministria ka nënvizuar se “kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme