Zjarrfikësit e Lezhës mungesa në logjistikë, 1364 ndërhyrje gjatë vitit 2025, kërkohen investime

Aktualitet | 9 muaj më parë

Gjatë vitit 2025, Shërbimi Zjarrfikës në Qarkun e Lezhës ka kryer 1364 ndërhyrje, kryesisht për zjarre dhe aksidente rrugore. Këto të dhëna u prezantuan në analizën vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të prefekturës dhe bashkive të qarkut. Përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të MZSH-së, Agustin Pepkolaj, ngriti shqetësimin për mungesën e logjistikës dhe kërkoi investime nga pushteti vendor për përballimin e situatave emergjente.

“Shërbimi Zjarrfikës nga shumë perceptohet si shërbim vetëm për mbrojtën nga zjarri, por kemi gati 70% të ndërhyrjeve për aksidentet rrugore dhe incidentet për shpëtimin e jetëve të njerëzve. E rëndësishme është që të mund të gjejmë rrugë më të mira, të kemi në kontakte të vazhdueshme me autoritete e bashkive që të mund të investojmë në logjistikë”, tha Pepkolaj.            

Prefekti i Qarkut, Taulant Malshi, dhe nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Eueda Molla, garantuan vëmendje të shtuar për forcimin e strukturave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi.

“Jam i bindur që vitit 2026 do sjellë nevojën e përmirësimit ët reagimit të planeve për Emergjencat Civile”, tha Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi

“Do jetë në vëmendjen tonë për përmirësimin e logjistikës, infrastrukturës”, u shpreh Eueda Molla, nënkryetare e Bashkisë Lezhë.

Qarku i Lezhës konsiderohet një ndër zonat më problematike sa i përket zjarreve dhe aksidenteve rrugore, ndaj investimi në shërbimin zjarrfikës shihet si domosdoshmëri për t’iu përgjigjur situatave dhe dinamikës së punës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme