Zjarri masiv rrezikon fshatin Koilac në Mallakastër, policia evakuon familjet, flakët përhapen drejt disa fshatrave
Një zjarr me përmasa masive ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke në fshatin Koilac të bashkisë Mallakastër, duke rrezikuar drejtpërdrejt banesat dhe jetën e banorëve të zonës. Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë menjëherë në terren duke realizuar evakuimin e disa familjeve nga zonat më të rrezikuara.
Në operacionin e shpëtimit dhe izolimit të vatrës janë angazhuar trupa të shumta nga Komisariati i Policisë Mallakastër, Drejtoria Vendore e Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, si dhe struktura të Emergjencave Civile.
“Për shkak të erës së fortë, flakët po favorizohen në përhapjen e tyre në drejtim të zonave të banuara, ndërsa deri tani zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.”, njofton policia.
Kërcënimi për fshatrat fqinjë dhe hetimet e prokurorisë
Përveç dëmeve të mëdha në bimësi, favorizuar nga kushtet meteorologjike dhe era e fortë, vatra e zjarrit vazhdon të përparojë me shpejtësi. Ekipet e emergjencës po punojnë intensivisht për të mbrojtur zonat e banuara në fshatrat fqinjë Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.
Paralelisht me punën në terren për fikjen e zjarrit, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.
“Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.”, thuhet në njoftim.
Apeli i autoriteteve për qytetarët
Në përfundim, Drejtoria Vendore e Policisë Fier u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo ndezje zjarri për djegien e mbetjeve bimore apo qëllime të tjera.
Gjithashtu, autoritetet garantojnë reagim të menjëhershëm dhe mbrojtje të anonimatit për çdo qytetar që denoncon rastet e zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia në numrin e emergjencës 112.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



