Zjarri në Krujë, shmanget rreziku për banesat në fshatin Halil. Nufi: Forcat në terren do qëndrojnë gjatë gjithë natës

Aktualitet | 3 muaj më parë

Situata e zjarreve në zonën e Krujës është vënë nën kontroll, ndërsa rreziku i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara dhe banesave në fshatin Halil tashmë ka kaluar.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes ka qenë në fshatin Halil, ku është ndjekur nga afër situata dhe puna e ekipeve të angazhuara për shuarjen e zjarrit.

“Rreziku i përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara tashmë ka kaluar”, deklaroi Nufi, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për efektivët që kanë marrë pjesë në operacion.

Megjithatë, forcat zjarrfikëse dhe mjetet e ndërhyrjes do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në zonë, në gatishmëri të plotë për çdo situatë. Ekipet do të ndërhyjnë menjëherë në rast se ndonjë vatër riaktivizohet.

Më herët, zjarri në Krujë kishte krijuar shqetësim për banorët e zonës së Halilit, pasi flakët rrezikonin të zbrisnin në drejtim të zonës së banuar dhe të afroheshin pranë disa banesave.

Në terren u angazhuan forcat zjarrfikëse, Emergjencat Civile dhe struktura të tjera të përfshira në operacion, me qëllim izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së zjarrit.

Ndërhyrja nga toka është vështirësuar nga terreni i thepisur dhe malor, duke e bërë të vështirë aksesin në disa prej vatrave. Për këtë arsye, operacioni u mbështet gjatë ditës edhe nga ajri.

Një helikopter i Forcave të Armatosura ndërhyri në zonat më të vështira për t’u aksesuar, duke hedhur ujë dhe duke ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Pavarësisht se situata është përmirësuar dhe rreziku për banesat është larguar, autoritetet do të vijojnë monitorimin gjatë gjithë natës, për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarrit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme