“Zjerm” në skenën Europiane, Paci: Kënga ka dimension universal

Adrian Paci në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, tha se “Shkodra Elektronike” ka ditur t’i japë një dimension universal këngës “Zjerm”.
Nazarko: Pse ju vendosët t’i bashkoheni një projekti të tillë, si projekti i Kolës?
“Unë thjesht i kam bërë një dhuratë dy miqve të mi të “Shkodra Elektronike”, kur dëgjova këngën e tyre, dëgjova disa shprehje që më kujtonin punën time dhe fillova ta mendoj në lidhje me ato punime. Mora kohë, u ula dhe montova në kompjuter disa punime të miat dhe mendova që mund të rrinin mirë me njëri-tjetrin. Mendoj se Shqipërisë, nuk i mungon dimensioni njerëzor, por Kola dhe Beatriçe, kanë ditur t’i japin formë. Unë ua nisa atyre si dhuratë dhe sot po e ndajmë në këtë emision“, tha Paci.
Nazarko: Sa gjasa ka për sukses, sipas jush?
“Mendoj se muzika, kur është e vërtetë, përtej fjalës dhe gjuhës, është gjuha muzikore. Muzika e tyre, megjithëse është shumë e lidhur me tokën, përtej faktit që kanë disa motive specifike, ajo ka aftësinë që t’i japin një dimension universal ” – tha Paci.
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca përmes një lidhje Skype në emisionin “një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, kanë folur lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion dhe planet që kanë për të ardhmen.
“Unë kam filluar ta shkruaj këngën vetëm dhe kam shkruar pjesën time. Jam frymëzuar në një gjë të thjeshtë, në njerëzit që dinë të jenë të mirë me të tjerët. Kam dashur t’u kushtoj një himn këtyre njerëzve. Më tej, Kola ka kapur gjithë pjesët dhe ka bërë një gjë shumë të bukur” – tha Beatriçe Gjergji.
Oneda Skënderi: A e menduat mundësinë e përkthimit në gjuhë tjetër?
“Është e papërkthyeshme. Teksti ka një kontrast brenda llojit. Nëse e shoh tekstin si imazh, janë imazhe të pastra, të menduara idealist. Kur futet Kola, ndryshon dhe timbri i zërit. Gjithmonë natyra njerëzore është e lidhur me diçka që thërret për së brendshmi. Kam menduar që ta dërgoj te një gjë më pagane.” ,
Nazarko: Do të vazhdoni t’i shërbeni një tregu shqiptar?
“Nuk kemi menduar që të përkthejmë. Kemi menduar që të bëjmë këngë të reja. Edhe mund të ndodhë. Të bëjmë këngë anglisht, shqip, apo italisht”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




