Zogaj: Përmbytjet janë të paralajmëruara, duhet dëmshpërblim për dëmet në biznese dhe familje

Aktualitet | 10 muaj më parë

Analisti dhe publicisti i njohur Preç Zogaj ka lëshuar akuza ndaj institucioneve qendrore dhe lokale lidhur me menaxhimin e situatës së përmbytjeve në vend. I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit, Zogaj e cilësoi situatën aktuale jo vetëm si një fatalitet të natyrës, por edhe si pasojë e neglizhencës shtetërore.

Sipas Zogajt, ndonëse reshjet dhe përmbytjet janë fenomene që ndodhin, në rastin e Shqipërisë ato janë “të paralajmëruara” dhe pasojat vijnë për shkak se strukturat përgjegjëse nuk veprojnë në kohë.

Në analizën e tij, Zogaj theksoi mungesën e parandalimit dhe të analizave të thelluara pas çdo fatkeqësie.

“Këtu përmbytjet janë të paralajmëruara. Institucionet, qoftë ato lokale qoftë qendrore, merren pak me këtë problem. Duhet bërë një analizë e thellë sepse gjithnjë harrohet. Nuk kemi ende shembuj që ndërhyrjet kanë parandaluar përmbytjet,” u shpreh ai.

Analisti u ndal specifikisht te situata e krijuar në Gjirokastër, ku reshjet shkaktuan rrëshqitje dherash dhe gurësh.

“Kam parë skena në Gjirokastër që janë të paimagjinueshme. Dihet se Gjirokastra është në mal, ka gurë e përrenj dhe kudo që ka relieve të tilla merren masa mbrojtëse,” tha Zogaj.

Në përmbyllje, Zogaj kërkoi që qeveria të bëjë transparencë reale mbi raportin mes sasisë së reshjeve dhe dëmit të shkaktuar. Ai theksoi domosdoshmërinë e dëmshpërblimit për qytetarët.

“Viktimat duhet të dëmshpërblehen për dëmet në biznese dhe familje. Është e domosdoshme të bëhet bilanc real. A përligjet sasia e reshjeve me dëmet? As qeverisë nuk i intereson të fshihet. Duhet transparencë,” përfundoi Zogaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme