Zogaj skaner PD-së: Berisha mban afër ata që s’votohen, të tjerët e sfidojnë me vota

Politikë | 11 muaj më parë

Analisti Preç Zogaj ka zbërthyer lëvizjet e fundit politike brenda Partisë Demokratike, duke u ndalur te fenomeni “Salianji” dhe te listat e kandidatëve.

I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Zogaj theksoi se takimi i fundit i deputetit Ervin Salianji nuk duhet lexuar thjesht si një lëvizje individuale, por si një simptomë e një pakënaqësie më të gjerë.

Për Zogajn, pesha specifike e asaj që ndodhi nuk qëndron te individi, por te mbështetja që ai mori.

“Ne kemi parë një takim dhe lajmi nuk është vetë Salianji, por lajmi është salla, për mendimin tim,” u shpreh ai.

Analisti evidentoi një problem që, sipas tij, Sali Berisha refuzon ta shohë: “hendekun mes elitës drejtuese që nuk testohet në votë dhe kandidatëve të terrenit që marrin mijëra vota.”

Sipas Zogajt, lëvizja e Salianjit dhe e kandidatëve të tjerë të listave të hapura është një mesazh i drejtpërdrejtë për PD-në.

“Ata duan t’i japin një mesazh që: ‘Ne jemi më të pranueshëm se ju, që nuk votoheni kurrë’.”, tha Zogaj.

Zogaj kritikoi strategjinë e brendshme të Berishës, duke thënë se “ka krijuar një ndarje të dëmshme në parti”.

“Më shumë hapësirë kanë zënë ata që nuk votohen, ndërsa ata që kanë marrë më shumë vota janë lënë në listë të hapur,” argumentoi ai.

Ai theksoi se pa ndryshuar këtë qasje, rezultati është i parashikueshëm.

“Partia Demokratike, po nuk u shkund, po nuk u hap, po nuk bëri rrotacion, nuk fiton,” deklaroi Zogaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme