“Zvicër 2025” në RTSH/ Spanja do kualifikimin, Belgjika për pikët e para në Europian

Takimet e dyta të vlefshme për Grupin B nisin sot në orën 18:00 me duelin Spanjë-Belgjikë. Sfida, e cila vjen për publikun shqiptar nëpërmjet ekranit të RTSH Sport, do të luhet në “Arena Thun” dhe do të jetë mjaft përcaktuese për të dy ekipet.
Spanja do të siguronte kualifikimin nëse do të mposhte Belgjikën dhe në takimin tjetër Portugalia nuk mund Italinë. Ndërsa lojtaret belge do të eliminoheshin nëse do të pësonin humbje përballë iberikeve ndërkohë që Italia do të merrte të paktën një pikë me Portugalinë.
Përpara këtij dueli komisari teknik i Spanjës, Montserrat Tomé, tha: “Në një turne si ky ta nisësh me një fitore ke gjithmonë diçka plus. Unë mendoj se ekipi ynë ka bërë gjithçka mirë, por kam përshtypjen se vajzat mendojnë se ka ende vend për përmirësim. Sa i përket Belgjikës pres një takim ku ne do të na duhet të bëjmë kujdes nga zbritjet e shpejta të rivaleve. Do të na presin në mbrojtje që më pas të na sulmojmë me kundërsulme të shpejta”.
Ndërsa komisarja teknike e Belgjikës, Elísabet Gunnarsdóttir, komentoi: “Kur mu ofrua ky pozicion në kombëtare e dija se do të ndesheshim me Spanjën tri herë. Të tilla sfida për një trajnere janë shumë motivuese pasi përballë kemi një ekip të madh. Në të tilla situata mëson shumë dhe rritesh profesionalisht”.
Formacionet e mundshme:
Spanjë: Nanclares; Batlle, Paredes, Aleixandri, Olga; Guijarro, Putellas, Bonmatí; Caldentey, Esther González, Pina
Belgjikë: Lichtfus; Deloose, Philtjens, Tysiak, Cayman, Janssens; Toloba, Vanhaevermaet, Missipo, Eurlings; Wullaert
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




