“Zyliha Miloti, aktorja e 1.000 roleve”- Dokumentari i RTSH për ikonën e humorit me regji nga Arian Çuliqi
Kinema “Republika” në Shkodër mirëpriti premierën e dokumentarit “Zyliha Miloti, aktorja e 1.000 roleve”. Dokumentari i prodhuar nga RTSH, u prit me entuziazëm nga publiku shkodran, i cili e mbushi sallën plot në këtë ngjarje të veçantë kulturore.
“Për këtë dokumentar jemi bazuar tek marrëdhëniet e Zylit me partnerët, kolegët dhe me publikun, që i ka tepër të veçanta”, u shpreh regjisori dhe “Mjeshtri i Madh” Arian Çuliqi.
“Shpresoj shumë që ky dokumentar të vijë tek ju ashtu si është realizuar, me shumë, shumë dashuri”, tha skenaristja Klodiana Shpendi.
Në këtë mbrëmje u bënë pjesë artistë të njohur, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qytetarë, të cilët nderuan kontributin e jashtëzakonshëm të aktores Zyliha Miloti, me mbi 65 vite përkushtim ndaj artit skenik dhe ekranit.
“Falënderoj Radio Televizionin Shqiptar. Respekt dhe mirënjohje për këtë televizion, i cili na bëri të njohur të gjithë artistëve shqiptarë”, u shpreh Miloti.
Përgjatë dokumentarit, publiku u përfshi në një udhëtim emocional mes roleve të shumta të artistes në skenë dhe kinematografi.
“Kam pasur fatin që e kam pasur partnere mbi 35 vjet. Me pas’ partnere Zyliha Milotin është si një astmatik që e ka bombolën e oksigjenit këtu”, u shpreh aktori dhe “Mjeshtri i Madh” Besnik Çinari.
“Me artin e saj ka bërë të kënaqen të gjithë spektatorët shqiptarë, të qeshin, ta duartrokasin”, tha aktori dhe “Nderi i Kombit” Bujar Kapexhiu.
“Ajo thotë 1.000 skeçe, por unë mendoj që ka bërë ndoshta 2.000”, u shpreh aktorja dhe “Mjeshtrja e Madhe” Rita Gjeka.
Dokumentari “Zyliha Miloti, aktorja e 1.000 roleve” vjen si një dëshmi e gjallë e kontributit prej një jete të artistes në shërbim të humorit, teatrit dhe kulturës shqiptare.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




