“Zylo Kamberi” rikthehet në Shtëpinë Studio “Agolli” me dorëshkrimin origjinal, mbrëmje kujtimesh e poezish në 1-vjetorin e muzeut
Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot kujtime, shtëpia-studio “Agolli” festoi mbrëmë njëvjetorin e hapjes si muze, duke sjellë për publikun një ekspozitë të rrallë kushtuar një prej kryeveprave të letërsisë shqiptare romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”.
Në këtë aktivitet, për herë të parë u publikua një pjesë e dorëshkrimit origjinal të romanit, si edhe blloqe shënimesh që zbulojnë gjenezën e personazhit legjendar.
Ekspozita përfshiu gjithashtu ekzemplarin e revistës “Hosteni” të vitit 1972, ku vepra u botua fillimisht, letërkëmbime të Dritëroit mbi romanin, objekte personale, portrete origjinale dhe fotografi të rralla të shkrimtarit.
“Ne kemi zgjedhur ta shënojmë këtë ditëlindje të Dritëroit dhe këtë 1-vjetor të shtëpisë-muze të Dritëroit përmes një ekspozite të veçantë, e cila i kushtohet romanit Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo në shumë dimensione. Kemi sjellë një pjesë të dorëshkrimit të tij, shumë letërkëmbime që kanë lidhje posaçërisht me këtë vepër themelore të letërsisë shqipe”, tha drejtuesja e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli” Anisa Ymeri.
“Muzeu i Agollit ka shumë dashuri brenda vetes, ashtu sikurse edhe vetë Dritëroi e kishte këtë dashuri për njerëzit, dëshirën për të bashkuar njerëz”, u shpreh pedagogia Anila Mullahi.
Ky aktivitet shënoi jo vetëm një moment reflektimi mbi trashëgiminë e Dritëro Agollit, por edhe një mënyrë për të rikthyer në vëmendje një nga personazhet më të njohur satirikë të letërsisë shqipe Qe mbetet aktuale, si dëshmi e ironisë fine dhe e një kohe që vijon të flasë përmes letërsisë.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




