Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë: Nuk ka plane për një takim të afërt Trump-Putin

Nuk ka asnjë plan që presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putinin në një të ardhme të afërt, ka deklaruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Të enjten e kaluar Trump tha se ai dhe presidenti rus do të zhvillojnë bisedime në Budapest brenda dy javësh, për të diskutuar luftën në Ukrainë.
Një takim përgatitor midis sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov duhej të mbahej këtë javë, por Shtëpia e Bardhë tha se të dy kishin pasur një telefonatë “produktive” dhe se një takim nuk ishte më i nevojshëm. Shtëpia e Bardhë nuk ndau më shumë detaje se pse bisedimet ishin pezulluar.
Të hënën Trump përqafoi idenë e ngrirjes së konfliktit ukrainas në vijën aktuale të frontit.
“Le të pritet ashtu siç është“, tha ai, duke iu referuar rajonit të kontestuar të Donbasit në Ukrainën lindore.
Por Rusia e kundërshtoi idenë. “Moska është e interesuar vetëm për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme“, tha Lavrov, duke lënë të kuptohet se ngrirja e vijës së frontit do të përbënte vetëm një armëpushim të përkohshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




